COBISS.Net – mbështetje për dije dhe dialog ndërkulturor

Bibliotekat në shoqërinë e informacionit

Dija është forca motorike e zhvillimit. Për shoqërinë e informacionit, e cila mbështet fuqishëm zhvillimin e bazuar në dije, sistemet bibliotekare të informacionit dhe ato të veprimtarisë kërkimore shkencore janë pjesë shumë të rëndësishme të infrastrukturës, pa të cilat nuk mund të mendohet zhvillimi i arsimit bashkëkohor, i kërkimeve shkencore, dhe as zhvillimi kulturor, teknologjik dhe ekonomik. Bibliotekat nuk mund të luajnë rolin e tyre, nëse funksioni tyre nuk mbështetet në teknologjinë bashkëkohore të informacionit dhe të komunikimit. Ato nuk mund të funksionojnë me efikasitet të izoluara nga njëra-tjetra, prandaj duhet të lidhen bashkë dhe të sigurojnë kushtet për dialog dhe bashkëpunim. Kjo siguron bazën më të mirë për zhvillimin e çdo vendi në veçanti, dhe të bashkësisë ndërkombëtare në tërësi.

Janë të pakta shtetet që kanë pasur sukses në krijimin e sistemeve kombëtare bibliotekare të informacionit me katalogim të përbashkët. Zhvillimi i sistemeve kombëtare shpesh ka qënë i pamundur për shkak të automatizmit të pakoordinuar të bibliotekave me programe të ndryshme, dhe për arsye se bibliotekat u përkasin institucioneve të ndryshme të ministrive, të cilat nuk bashkëpunojnë midis tyre për planifikimin e zhvillimit të bibliotekave.

 

Nga koncepti i sistemit COBISS deri tek rrjeti rajonal i bibliotekave

COBISS (Sistemi dhe shërbimet e përbashkëta bibliografike online) është model reference i sistemit që përfaqëson platformën e sistemeve kombëtare bibliotekare të informacionit dhe/ose i sistemeve bibliografike për vlerësimin e rezultateve të veprimtarisë kërkimore në Slloveni, Serbi, Maqedoni, Bosnjë dhe Hercegovinë, Mal të Zi, Bullgari dhe Shqipëri. Të gjitha sistemet e përmendura janë të lidhura në rrjetin rajonal COBISS.Net. Për zbatimin e sistemit COBISS po përgatiten edhe në Kosovë, ndërsa ftesa është e hapur edhe për bibliotekat në Kroaci.

Karakteristikat kryesore të menaxhimit të integruar të katalogëve të bibliotekave dhe bibliografive të kërkuesve shkencorë janë:

  • racionalizimi dhe shtimi i vlerave,
  • kualifikuar i avancuar profesional i kataloguesve,
  • cilësia e lartë e regjistrimeve bibliografike dhe funksioni i shumëfishtë i tyre,
  • transparenca e rezultateve të veprimtarisë kërkimore.

Sistemi COBISS, është projektuar nga Instituti i Shkencave të Informacionit (IZUM) në Maribor në vitin 1987, i cili mori përsipër zhvillimin e sistemeve bibliotekare të informacionit në ish-Jugosllavi, ndërsa në vitet nëntëdhjetë, pas ndryshimeve shoqërore, një numër i madh shtetesh të Evropës Juglindore pranuan IZUM-in me një rol të tillë. Në vitin 2003 është nënshkruar Marrëveshja për krijimin e rrjetit COBISS.Net dhe për qarkullimin e lirë të regjistrimeve bibliografike, të cilat krijohen në sistemet autonome bibliotekare të informacionit të vendeve pjesëmarrëse. Deri tani, ndërmjet këtyre sistemeve janë shkëmbyer mbi 500.000 regjistrime bibliografike. Në fund të vitit 2013 në 7 baza të përbashkëta të të dhënave COBIB numri i regjistrimeve bibliografike ka arritur mbi 10 milion, ndërsa në bazat lokale të të dhënave të më shumë se 780 bibliotekave mbi 23 milion regjistrime bibliografike. Në vitin 2015 bibliotekat kanë krijuar mesatarisht vetëm 25 % regjistrime të reja, ndërsa 75% të regjistrimeve i kanë shkarkuar, që tregon qartë kursim të madh të kohës dhe shpenzimeve. COBISS.Net në të njëjtën kohë është edhe formë e bashkëpunimit kulturor, i cili në rajon ka një rëndësi të veçantë, sepse kontribuon në mirëkuptimin dhe dialogun e ndërsjellë.

 

Objektivat e projektit COBISS.Net

Në mars të vitit 2006, drejtorët e bibliotekave kombëtare të Bosnjë dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë, Sllovenisë, Serbisë dhe drejtori i IZUM-it miratuan projektin e titulluar "Projekti COBISS.Net – faza II: Mbështetje për dije dhe dialog ndërkulturor", duke ftuar bibliotekat e rajonit në këtë bashkëpunim. Në nëntor të vitit 2006 projektit iu bashkua edhe Biblioteka Kombëtare e Bullgarisë, ndërsa në dhjetor 2012, me nënshkrimin e një kontrate të veçantë me IZUM-in edhe Biblioteka e Akademisë së Shkencave e Shqipërisë. Pas Akademisë së Shkencave projektit iu bashkuan shumë biblioteka nga Shqipëria. Objektivat e projektit janë:

  1. Përshpejtimi i automatizimit dhe përfshirja e bibliotekave të shteteve pjesëmarrëse në sistemet kombëtare bibliotekare të informacionit dhe në rrjetin COBISS.Net.
  2. Shtimi i interesit të bibliotekave të Shqipërisë, Bullgarisë, Kroacisë dhe Kosovës për shfrytëzimin e mundësive për një zhvillim më të shpejtë, të cilin e siguron bashkëpunimi në rrjetin COBISS.Net.
  3. Harmonizimi i rregullave të përpunimit të materialit bibliotekar në përputhje me rekomandimet dhe standardet ndërkombëtare.
  4. Themelimi i sistemeve të përshtatshme të informacionit për veprimtarinë kërkimore (SICRIS, E-CRIS) në vendet pjesëmarrëse (bazat e të dhënave për kërkuesit shkencorë, organizatat kërkimore dhe projektet kërkimore).
  5. Rritja e interesit të ministrive përkatëse dhe universiteteve në vendet pjesëmarrëse, për të pranuar konceptin e menaxhimit të bibliografive të kërkuesve shkencorë në kuadër të sistemeve kombëtare bibliotekare të informacionit dhe në këtë mënyrë të sigurojnë rezultate transparente të veprimtarisë kërkimore.
  6. Rritja e përdorimit të rezultateve të veprimtarisë kërkimore për stimulimin e proceseve të inovacionit dhe zhvillimit ekonomik e shoqëror në rajon.

 

Çfarë u ofron IZUM-i bibliotekave në rrjetin COBISS.Net?

IZUM-i është organizatë jofitimprurëse – institucion publik me mbi 110 punonjës, i cili asnjëherë nuk ka përfaqësuar interesa të ngushta komerciale brenda ose jashtë Sllovenisë. Për më shumë se një çerek shekulli, IZUMI-i duke qenë i pranishëm në një hapësirë rajonale më të gjerë, me iniciativat e tij profesionale dhe inovatore ka siguruar besueshmëri të lartë. Ky institucion është bërë qendër e rëndësishme rajonale për zhvillimin e sistemeve bibliotekare të informacionit dhe sistemeve të informacionit kërkimor. Për këtë veprimtari u njoh nga UNESCO në Asamblenë e përgjithshme në muajin nëntor 2011, duke i dhënë IZUM-it statusin e Qendrës Rajonale. IZUM-i, u ofron bibliotekave në rrjetin COBISS.Net:

  1. Zgjidhje të provuara organizative dhe programin COBISS për automatizimin e veprimtarisë bibliotekare së bashku me katalogimin e përbashkët në rrjetin COBISS.Net dhe qasjen në katalogun ndërkombëtar WorldCat (OCLC).
  2. Metodologji dhe program të provuar për menaxhimin e bibliografive të kërkuesve shkencorë në sistemin COBISS, si dhe aplikacione për krijimin e sistemit kombëtar të informacionit për veprimtarinë kërkimore (SICRIS, E-CRIS) dhe vlerësimin e rezultateve të veprimtarisë shkencore.
  3. Programe të ndryshme trajnimesh (bibliotekarëve dhe specialistëve të informacionit), organizimin e seminareve të specializuara dhe konferencave ndërkombëtare të COBISS-it.
  4. Servera me kapacitete të përshtatshme për aplikacione dhe shërbime të COBISS-it dhe SICRIS/E-CRIS.
  5. Ndihmë në gjetjen e burimeve financiare për zhvillimin e aktiviteteve (bashkëpunimi i zhvillimit ndërkombëtar).

Programi, të cilin e zhvillon dhe e mirëmban IZUM-i, mbështet funksione të ndryshme bibliotekare dhe ofron ndërfaqe të përdoruesit në shumë gjuhë (sllovene, serbe, boshnjake, maqedonase, bullgare, shqipe dhe angleze).

Bashkëpunimi më i ngushtë i IZUM-it me OCLC-në do të siguroj më shumë mundësi për të përmbushur në mënyrë efikase nevojat e bibliotekave dhe përdoruesve të burimeve dhe shërbimeve të informacionit.

 

Përfundim

COBISS.Net është një projekt i themeluar për bashkëpunimin dhe zhvillimin ndërkombëtar në ndërtimin e sistemeve kombëtare bibliotekare të informacionit dhe të sistemeve të informacionit për veprimtarinë kërkimore. Ndërlidhja e këtyre dy sistemeve është shumë e rëndësishme për menaxhimin e bibliografive të kërkuesve shkencorë dhe vlerësimin e rezultateve të veprimtarisë kërkimore. Bashkëpunimi ynë i deritanishëm ka patur rezultate shumë pozitive, prandaj jemi të bindur se rrjeti COBISS.Net ka rëndësi të madhe në zhvillimin e rajonit dhe integrimin e suksesshëm të tij në BE.