COBISS - Sistemi dhe shërbimet e përbashkëta bibliografike online

Hyrje

Bibliotekat në shoqërinë e informacionit janë qendrat më të rëndësishme të dijes, ndërkohë që detyra e tyre është edhe regjistrimi i rezultateve të "prodhimit intelektual". Por bibliotekat nuk mund ta kryejnë këtë rol, nëse veprimtaria e tyre nuk mbështetet nga teknologjia bashkëkohore e informacionit dhe komunikimit. Gjithashtu, ato nuk mund të funksionojnë si duhet kur janë të izoluara nga njëra-tjetra, prandaj, ato duhet të lidhen me njëra tjetrën dhe të sigurojnë kushtet për dialog dhe bashkëpunim, të cilat do të sigurojnë më tej bazën për zhvillimin e çdo vendi në veçanti dhe të shoqërisë ndërkombëtare në tërësi.

Në vitin 1987 Shoqata e atëhershme e Bibliotekave Kombëtare të Jugosllavisë adoptoi një sistem të katalogimit të përbashkët si bazë të sistemit bibliotekar të informacionit dhe atij të informacionit shkencor e teknologjik të Jugosllavisë. Roli i bartësit të zgjidhjeve organizative dhe zhvillimit të programit u mor përsipër nga Instituti i Shkencave të Informacionit (IZUM) në Maribor (Slloveni).

Në vitin 1991 IZUM-i promovoi sistemin COBISS (Co-operative Online Bibliographic System and Services), si një përmirësim i sistemit të përbashkët të katalogimit. Në të njëjtën kohë i njëjti akronim u përdor nga IZUM-i edhe për programet përkatëse. Për shkak të shpërbërjes së Jugosllavisë bibliotekat jashtë Sllovenisë u tërhoqën nga anëtarësimi i tyre në sistemin e përbashkët të katalogimit, megjithatë më vonë pjesa më e madhe e tyre gradualisht rivendosi bashkëpunimin me IZUM-in. Aktualisht ato po ndërtojnë sistemet e tyre autonome të informacionit bazuar në platformën COBISS me katalogimin e përbashkët në COBISS.net.

mreža COBISS.net

COBISS.SI, COBISS.SR, COBISS.MK, COBISS.BH+COBISS.RS, COBISS.CG, COBISS.BG, COBISS.AL dhe COBISS.KS, janë emërtime për sistemet autonome bibliotekare të informacionit, të cilat janë ndërtuar ose po ndërtohen në shtete të veçanta (Slloveni, Serbi, Maqedoni e Veriut, Bosnjë dhe Hercegovinë, Mal i Zi, Bullgari, Shqipëri dhe Kosovë). Në Bosnjë dhe Hercegovinë gjenden dy sisteme, sepse njëra nga dy njësitë e saj përbërëse (Republika Serbe) në vitin 2013 vendosi krijimin e sistemit autonom COBISS.RS. Sistemi COBISS.AL në Shqipëri dhe sistemi COBISS.KS në Kosovë aktualisht po ndërtohen pa bashkëpunimin e bibliotekave kombëtare.

Në vitin 2003 është nënshkruar Marrëveshja për themelimin e rrjetit COBISS.net dhe shkëmbimin e lirë të regjistrimeve (të të dhënave) bibliografike, që krijohen në sistemet kombëtare bibliotekare të informacionit në Bosnjë dhe Hercegovinë, Mal të Zi, Maqedoni e Veriut, Slloveni dhe Serbi. Ndërsa në vitin 2006, në emër të bibliotekave bullgare marrëveshjen e ka nënshkruar edhe Biblioteka Kombëtare e Bullgarisë. Në vitin 2013, me anë të nënshkrimit të deklaratave të veçanta, dispozitat e marrëveshjes në mënyrë indirekte i ka pranuar edhe grupi i bibliotekave nga Shqipëria. Bibliotekat Kombëtare të Shqipërisë dhe Kosovës janë ftuar disa herë, që t'i bashkohen projektit COBISS.net, mirëpo deri tani ato nuk kanë pranuar. Interesi i pjesës më të madhe të bibliotekave të tjera është i pamohueshëm.

Modeli organizativ i sistemit COBISS

COBISS përfaqëson një model organizativ të lidhjes së bibliotekave në sistemin kombëtar të informacionit bibliotekar me katalogim të përbashkët, me bazën bibliografike (katalogun) të përbashkët të të dhënave COBIB dhe me bazat lokale të bibliotekave pjesëmarrëse, me bazën e të dhënave për bibliotekat COLIB, bazën e njësuar të të dhënave CONOR, si edhe shumë funksione të tjera. Funksionimi i duhur i sistemit është i kushtëzuar nga këto parime profesionale dhe mundësi teknologjike:

  • përpunimi i përbashkët dhe i standardizuar i materialeve bibliotekare, si edhe administrimi i njësuar i katalogëve dhe i bibliografive,
  • aftësimi profesional i kataloguesve për katalogimin e përbashkët,
  • lidhja e bibliotekave nëpërmjet rrjeteve kompjuterike dhe të komunikimit.

Çdo sistem kombëtar i informacionit bibliotekar ndërtohet mbi platformën COBISS nga qendra kombëtare COBISS dhe bibliotekat si anëtare të sistemit.

Qendra Kombëtare COBISS është shërbimi bibliotekar i informacionit, që kryen këto detyra:

  • planifikimin dhe koordinimiin e veprimtarive që kanë të bëjnë me lidhjen e bibliotekave në sistemin COBISS,
  • sigurimin e pajisjeve elektronike për funksionimin e sistemit dhe shërbimeve qendrore,
  • sigurimin e programit dhe manualeve COBISS për katalogimin e përbashkët, për punën e bibliotekave lokale dhe për shërbime të tjera,
  • administrimin e bazës së përbashkët të të dhënave COBIB,
  • organizimin e kurseve dhe ndihma profesionale për bibliotekat dhe përdoruesit e tjerë të programit dhe shërbimeve COBISS,
  • aftësimi i punonjësve profesional të bibliotekave për bashkëpunim në katalogimin e përbashkët (në bashkëpunim me bibliotekën kombëtare),
  • dhënien e ndihmës profesionale për bibliotekat gjatë konvertimit dhe transferimit të të dhënave nga sisteme të tjera,
  • organizimi i qasjes në shërbimet dhe bazat e huaja të informacionit, bazuar në kontratat e konsorciumit.

Në Slloveni rolin e qendrës kombëtare COBISS e kryen IZUM-i, ndërsa në shtetet e tjera këtë detyrë zakonisht e kryejnë bibliotekat kombëtare.

Në kuadrin e sistemit bibliotekar të informacionit të bazuar mbi platformën COBISS bibliotekat mund të kenë njëren nga këto dy statuse:

  • Statusin e anëtarit kombëtar, e ka Biblioteka Kombëtare, e cila merr pjesë aktive në katalogimin e përbashkët dhe zbaton detyra të veçanta (katalogimin e botimeve kombëtare, kualifikimin e bibliotekarëve, verifikimin e aftësive të kataloguesve, kontrollin e cilësisë së përpunimit të materialit etj.).
  • Statusin e anëtarit me të drejta të plota, e kanë bibliotekat, të cilat pjesë në sistemin e përbashkët të katalogimit dhe mund të kontribuojnë me regjistrime në bazën e përbashkët të të dhënave, nëse kataloguesit e tyre kanë lejet/autorizimet përkatëse për katalogimin e përbashkët. Nëse nuk i kanë këto autorizime, ata nuk lejohen të krijojnë apo të redaktojnë regjistrimet në bazën e përbashkët të të dhënave, por vetëm mund të shkarkojnë regjistrimet nga kjo bazë dhe t’i ruajnë ato në bazat e tyre lokale të të dhënave.

Si rregull, për t’u marrë me zhvillimin dhe funksionin e sistemeve bibliotekare të informacionit kombëtare të ndërtuara mbi platformën COBISS, formohen Këshilla të Anëtarëve të COBISS, të përbërë nga përfaqësues të të gjitha llojeve të bibliotekave (kombëtare, publike, akademike, speciale, shkollore), të zgjedhura mbi bazën e numrit të përgjithshëm të regjistrimeve me të cilat ata kanë kontribuar në bazën e përbashkët të të dhënave COBIB.

IZUM-i me qendrat kombëtare COBISS jashtë Sllovenisë nënshkruan kontrata "çadër", në kuadër të të cilave u mundëson:

  • know-how për organizimin dhe administrimin e sistemit bibliotekar të informacionit në platformën COBISS,
  • programin COBISS për automatizimin e funksioneve bibliotekare, që është produkt origjinal i IZUM-it dhe
  • pajisjet kompjuterike për veprimtarinë e sistemit dhe shërbimeve qendrore (jo të detyrueshme).

IZUMI-i me bibliotekat e shteteve pjesëmarrëse në sistemin COBISS, nuk bashkëpunon direkt. Aktualisht, bëjnë përjashtim bibliotekat në Shqipëri dhe në Kosovë.

Bibliotekat lidhin kontratë me qendrën kombëtare COBISS për anëtarësi me të drejta të plota në sistemin kombëtar bibliotekar të informacionit, përmes së cilës detyrohen të respektojnë rregullat e veprimtarisë së sistemit dhe të paguajnë anëtarësinë vjetore, nëse kjo nuk është e rregulluar ndryshe (në Slloveni p.sh. aktivitetin e qendrës kombëtare COBISS pothuajse në tërësi e financon Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Sportit). Anëtarësia midis të tjerave përfshin pagesën për përdorimin e programit COBISS.

Platforma teknologjike e sistemit COBISS

COBISS3 është versioni i tretë i programit për automatizimin e veprimtarisë së bibliotekave dhe qasjen në baza të ndryshme të të dhënave, të cilin e zhvillon dhe e mirëmban IZUM. Për sa i përket serverit, përdoren servera me sistemin operativ Linux ose Windows dhe servera të aplikacionit në gjuhën e programimit Java EE. Për ruajtjen e të dhënave, brenda në serverat me sistem operativ Linux përdoret baza relative e të dhënave PostgreSQL ose Oracle. Për sa i përket klientit përdoren aplikacionet në bazë të gjuhës së programimit Java, për këtë arsye në vendin e punës në biblioteka mund të përdoren kompjuterat personal ose laptop-ë me sisteme të ndryshme operative (pjesa më e madhe Windows, disa edhe Linux e MacOS). Për punë normale me programin COBISS3 përshtaten kompjuterët e ri, që kanë qasje në internet të paktën 256kb/s.

Disa nga veçoritë e programit COBISS3 janë:

  • ndërfaqja grafike e përdoruesit,
  • mundësia e shënimit të të dhënave dhe e kërkimit edhe me alfabet cirilik,
  • përdorimi i standardit UNICODE (ISO 10646),
  • përshtatshmëria në zbatimin e tij jashtë Sllovenisë,
  • varësia minimale e sistemit nga sistemi operativ dhe harduerët.

Programi COBISS3 mbështet funksione të ndryshme të bibliotekave dhe qendrave kombëtare COBISS me mundësinë e zgjedhjes së ndërfaqeve të përdoruesve në disa gjuhë (sllovene, serbe, boshnjake, maqedone, bullgare, shqipe dhe angleze).

Katalogimi i përbashkët (COBISS3/Katalogimi)

Katalogimi i përbashkët mundëson një ndarje racionale të punës dhe kursimin e kohës gjatë procesit të ndërlikuar të përpunimit të materialit bibliotekar dhe administrimit të katalogëve. Çdo njësi bibliografike mjafton të përpunohet vetëm një herë dhe pastaj nëpërmjet bazës së përbashkët të të dhënave/katalogut COBIB, të gjithë përdoruesit e sistemit dhe rrjetit COBISS.net kanë qasje në regjistrim.

Një veçori karakteristike e katalogimit të përbashkët është lidhja e ngushtë midis bazave lokale të të dhënave (katalogëve) të bibliotekave të veçanta me bazën e përbashkët të të dhënave (katalogun e përbashkët).

Bazat e të dhënave përmbajnë regjistrime bibliografike të llojeve të ndryshme të materialeve të bibliotekës (monografi, seriale, burime në vazhdim, artikuj dhe pjesë të tjera përbërëse), dhe, për administrimin e bibliografive të autorëve, përfshihen edhe regjistrime për veprat e ekzekutuara.

Për udhëheqjen e bibliografive të kërkuesve shkencorë në sistemin COBISS, duhet të përdoret një tipologji e njësuar e dokumenteve/veprave, në bazë të së cilës klasifikohen njësitë bibliografike. Lloji i çdo njësie bibliografike duhet të specifikohet (p.sh. artikull origjinal shkencor, artikull reviste, artikull profesional, monografi profesionale ose shkencore, kumtesë shkencore ose profesionale në konferencë etj.) sipas përkufizimeve në tipologjinë e përshkruar.

Baza e përbashkët COBIB dhe të gjitha bazat lokale të bibliotekave pjesëmarrëse kanë strukturë të njëjtë të të dhënave bibliografike dhe të të dhënave për gjendjen e koleksioneve të bibliotekës. Ndërsa bazat lokale të të dhënave, krahas kësaj, përmbajnë edhe të dhëna të strukturuara mbi koleksionet e bibliotekës, të cilat kanë rëndësi thelbësore për funksionet lokale të bibliotekave dhe për shfaqjen në COBISS+.

Për shkëmbimin e të dhënave në sistemin COBISS përdoret formati COMARC/B për regjistrimet bibliografike, formati COMARC/A për të dhënat e njësuara dhe formati COMARC/H për të dhënat për koleksionet e bibliotekës. Dy të parët bazohen në formatin UNIMARC, ndërsa këtë të fundit e ka zhvilluar IZUM. Për shkëmbimin ndërkombëtar të të dhënave bibliografike përdoret formati MARC 21. Janë të mundshme edhe konvertimet e regjistrimeve nga formati COMARC në MARC 21 dhe anasjelltas. Regjistrimet mund të eksportohen në strukturën ISO 2709 (MARC 21, COMARC) ose XML (Dublin Core, MODS, MARC21, COMARC).

Në procesin e katalogimit të përbashkët, të dhënat vendosen në bazat lokale të të dhënave dhe në të njejtën kohë përditësohen në bazën e përbashkët të të dhënave COBIB, ndërsa të dhënat e njësuara në bazën e njësuar CONOR dhe SGC. Krahas kësaj bëhet indeksimi online, që përdor rreth 100 indekse kërkimi në të dhënat bibliografike, të dhënat e njësuara dhe të dhënat për koleksionet e bibliotekës.

Kataloguesi, i cili dëshiron të shtojë një regjistrim në bazën lokale të të dhënave, fillimisht verifikon nëse regjistrimi bibliografik ekziston në bazën e përbashkët të të dhënave COBIB. Nëse ai ekziston, kataloguesi e shkarkon atë në bazën e tij lokale të të dhënave. Nëse regjistrimi nuk ekziston në bazën e përbashkët të të dhënave, kataloguesi atë mund ta shkarkoj nga rrjeti COBISS.net ose nga ndonjë bazë e huaj e të dhënave, ose e krijon atë në bazën lokale të të dhënave, prej ku regjistrimi transferohet automatikisht edhe në bazën e përbashkët të të dhënave bibliografike.

Gjatë krijimit të regjistrimeve për serialet, si bazë e njësuar përdoret baza ndërkombëtare e të dhënave ISSN, nga e cila të dhënat përkatëse transferohen në COBIB dhe në bazat lokale të të dhënave. Gjithashtu, është i mundur edhe shkarkimi i regjistrimeve bibliografike nga WorldCat (katalogu botëror) dhe nga katalogu i Bibliotekës së Kongresit . Për shkarkimin e regjistrimeve nga WorldCat duhet që shërbimi bibliotekar i informacionit të ketë nënshkruar marrëveshjen përkatëse me OCLC-në.

Janë të mundshme edhe konvertimet e brendshme retrospektive, nga bazat e të dhënave të mëparshme që biblioteka ka bërë para futjes në COBISS, nëse këto plotësojnë kriteret minimale të cilësisë dhe pajtueshmërisë me formatin COMARC. Këto konvertime, si rregull, kryhen vetëm në bazat lokale të të dhënave.

Cilësia, uniformiteti dhe koherenca e bazave të të dhënave lokale dhe e bazës së përbashkët të të dhënave COBIB sigurohen në mënyra të ndryshme: me anën e kontrollit të njësuar, kontrollit për dublikatet, kontrolleve të programit për formatin COMARC/B dhe COMARC/A, redaktimit të regjistrimeve, nëpërmjet listave ndërkombëtare të kodeve për të gjitha të dhënat e standardizuara (p.sh. shtetet, gjuhët, KDU), listave lokale të kodeve për të siguruar unifikimin e të dhënave në kuadrin e një biblioteke (psh. vendndodhjet, vendndodhjet në raft), numëratorët automatikë (p.sh. numrat e inventari, numrat e vendit), kontrollit identifikues unik të botimeve seriale etj., dhe, mbi të gjitha, duke ofruar kualifikim të vazhdueshëm të krijuesve të regjistrimeve, dhe duke integruar dokumentet për formatin COMARC në program.

Katalogimi i përbashkët është punë kërkuese dhe me përgjegjësi, të cilën mund ta kryejnë vetëm punonjësit e trajnuar dhe të specializuar - kataloguesit. Puna e tyre ndikon edhe në punën e bibliotekave dhe kataloguesve të tjerë në sistem.

Kataloguesit, të cilët dëshirojnë të bashkëpunojnë në procesin e katalogimit të përbashkët si dhe të krijojnë e të redaktojnë regjistrimet bibliografike për bazën e përbashkët të të dhënave, duhet:

  • të kenë arsimin universitar në fushën e bibliotekonomisë ose arsimin universitar në fusha të tjera dhe të kenë të përfunduar provimin profesional për bibliotekonomi,
  • të kryejnë me sukses trajnimin në kurset e organizuara sipas programit të trajnimit për katalogimin e përbashkët,
  • të krijojnë së paku 30 regjistrime bibliografike bashkë me regjistrimet e njësuara në mjedisin testues të sistemit COBISS.AL. Regjistrimet duhet të krijohen për lloje të ndryshme të monografive,
  • sipas procedurës së përshkruar të pajisen me lejet/autorizimet e nevojshme për katalogimin e përbashkët të llojeve të caktuara të materialeve.

Për kataloguesit, të cilët vetëm i shkarkojnë regjistrimet bibliografike nga baza e përbashkët COBIB në bazën e tyre lokale të të dhënave, kushtet e përmendura më sipër nuk janë të detyrueshme. Ata duhet të ndjekin kursin vetëm për shkarkimin e regjistrimeve dhe udhëheqjen e koleksioneve.

Kurset lidhur me përdorimin e formateve COMARC/B, COMARC/A dhe COMARC/H si dhe me përdorimin e programit COBISS, i organizojnë qendrat kombëtare COBISS, nëse kanë marrë lejen e nevojshme nga IZUM-i për organizimin e kurseve të caktuara. Kurset, që janë të lidhura me përdorimin e rregullave të katalogimit dhe me standardet e tjera bibliotekare, zakonisht i zbaton biblioteka kombëtare përgjegjëse.

Lejet për katalogimin e përbashkët i lëshojnë Qendrat Kombëtare COBISS, zakonisht në marrëveshje me bibliotekën kombëtare.

COBISS+

COBISS+ u mundëson bibliotekave dhe përdoruesve të tyre qasje në këto baza të të dhënave:

  • baza bibliografike (katalogu) e përbashkët e të dhënave COBIB.AL – katalogu i përbashkët i bibliotekave të Shqipërisë që bashkëpunojnë në sistemin COBISS.AL dhe baza bibliografike (katalogu) e përbashkët e të dhënave COBIB.KS – katalogu i përbashkët i bibliotekave të Kosovës që bashkëpunojnë në sistemin COBISS.KS,
  • bazat lokale të të dhënave – katalogët e bibliotekave në sistemin COBISS.AL dhe COBISS.KS,
  • bazat e tjera të të dhënave në sistemin COBISS.AL dhe COBISS.KS – bazat e specializuara të të dhënave që janë pjesë e sistemit COBISS.AL dhe COBISS.KS,
  • burime të tjera të informacionit – bazat e huaja dhe vendase të specializuara të të dhënave.

Në bazën e përbashkët bibliografike të të dhënave COBIB.AL, në bazat lokale të të dhënave të bibliotekave dhe në bazat e tjera të të dhënave mund të përdoret një nga këto mënyra të kërkimit:

  • Kërkimi i thjeshtë – shënoni fjalët ose frazën, klikoni KËRKO.
  • Kërkimi i avancuar – përdorni formularët për kërkim, përzgjidhni fushat për kërkim, të cilat mund t'i kombinoni përmes operatorëve logjik.
  • Kërkimi i specializuar – pyetjen për kërkim e formoni vetë, me sintaksë të saktë për kërkim. Për këtë mënyrë kërkimi duhet të njihni strukturën e regjistrimeve bibliografike.

Përzgjidhni atë mënyrë të kërkimit që ju përshtatet më së shumti. Kërkimi i thjeshtë përdoret për kërkim më të përgjithshëm. Përmes kërkimit të avancuar dhe atij të specializuar mund t'u ofroheni më shumë rezultateve që dëshironi.

Regjistrimet në bazat e përbashkëta bibliografike (katalogët) të të dhënave në sistemin COBISS.AL dhe COBISS.KS i krijojnë bibliotekarët. Llojet themelore të materialeve për të cilat mund të kërkoni janë:

  • monografitë,
  • serialet,
  • artikujt,
  • regjistrimet zanore,
  • regjistrimet video,
  • filmat,
  • materialet hartografike,
  • materialet muzikore,
  • materialet grafike,
  • lodrat – objektet,
  • veprat e ekzekutuara - ngjarjet.

Materiali mund të jetë në formën e shtypur ose elektronike. Regjistrimet mund të përmbajnë edhe linkun për qasje në tekstin e plotë.

COBISS+ mund ta përdorin të gjithë përdoruesit që kërkojnë informacione ose materiale, të cilat janë të disponueshme në bibliotekat e Shqipërisë dhe të Kosovës, edhe në formën elektronike.

COBISS+ është i disponueshëm për të gjithë përdoruesit.

Të gjithë përdoruesit mund të kërkojnë pa asnjë kufizim në katalogun e përbashkët të bibliotekave të Shqipërisë COBIB.AL dhe të Kosovës COBIB.KS (parametrat e paracaktuar), në bazat lokale të të dhënave dhe në shumicën e bazave të tjera. Kërkimi është i kufizuar te disa baza të huaja të të dhënave, ku duhet të respektohen marrëveshjet me ofertuesit për licencat, për këtë arsye është e nevojshme hyrja e autorizuar e përdoruesit.

COBISS+ mundëson kërkimin dhe kontrollimin e regjistrimeve bibliografike. Regjistrimet mund të përmbajnë edhe linkun për qasje në tekstin e plotë ose në shërbimet e tjera (p.sh. burimet elektronike) jashtë aplikacionit COBISS+. Shërbimet e tilla mund të kenë kufizime të lidhura me licencat, me marrëveshjet me ofertuesit e shërbimeve dhe me bibliotekën që ofron këto shërbime për përdoruesit. Për qasje në burimet e lidhura me licencat nevojitet hyrja e autorizuar e përdoruesit.

COBISS+ mbështetet nga shumica e shfletuesve online; pamja e ndërfaqes mund të përshtatet duke ndryshuar disa parametra në shfletuesin online.

Hyrja në COBISS +

Hyrja mundëson të gjitha funksionet e aplikacionit COBISS+, sepse përveç kërkimit mund të përdorni edhe mundësitë e shërbimit Bibliotekat e mia, që janë të lidhura me bibliotekën e caktuar dhe me profilin e përdoruesit, që mundësojnë një numër parametrash të ndërfaqës së përdoruesit si dhe përshtatje të tjera.

Ekzistojnë këto mënyra për të hyrë në profilin COBISS+:

  • COBISS AAI – hyrja përmes shërbimit Bibliotekat e mia (emrin e përdoruesit dhe fjalëkalimin e merrni në bibliotekë),
  • ArnesAAI – hyrja, që përdoret nga studentët dhe mësimdhënësit në institucionet që janë të përfshira në ArnesAAI,
  • Google – hyrja për përdoruesit, të cilët për të hyrë në profilin COBISS+ dëshirojnë të përdorin të dhënat e llogarisë së tyre në Google+,
  • Facebook – hyrja për përdoruesit, të cilët për të hyrë në profilin COBISS+ dëshirojnë të përdorin të dhënat e llogarisë së tyre në Facebook,
  • E-mail – hyrja përmes adresës së përzgjedhur elektronike të përdoruesit.

Përdoruesit që nuk krijojnë profilin e tyre COBISS+ mund të përdorin vetëm funksionet themelore të kërkimit, që janë të lidhura me sesionin aktual të përdoruesit.

Nëse biblioteka aplikon huazimin e automatizuar përmes programit COBISS, COBISS+ siguron informacione për disponueshmërinë e kopjeve (nëse materiali është i disponueshëm apo i huazuar, afati i kthimit). Përdoruesit mund të shikojnë historinë e huazimeve, mund të shtyjnë afatin e huazimit, të rezervojnë materialin, të porosisin materialin përmes huazimit ndërbibliotekar, të kontrollojnë gjendjen e gjobave dhe borxheve, të shlyejnë borxhet online (vetëm në COBISS+) si dhe të porosisin shërbimet për njoftimin përmes postës elektronike.

Në dispozicion të përdoruesve është edhe mCOBISS. Ky është version i COBISS+ i përshtatshëm për telefonat mobil. Aplikacioni shfrytëzon përparësitë e telefonave bashkëkohorë, që veprojnë në sistemin Android dhe iOS. Aplikacionin pa pagesë për Android e gjeni në dyqanin elektronik Google Play, për aplikacionin iOS në iTunes.

mCOBISS mundëson:

  • kërkimin e materialit bibliotekar,
  • kontrollimin e materialit të huazuar dhe shtyrjen e afatit të huazimit,
  • rezervimin e materialit, kontrollimin dhe anulimin e rezervimeve,
  • kontrollimin e historisë së huazimit,
  • kontrollimin e borxheve dhe kufizimeve,
  • pranimin e njoftimeve PUSH,
  • kërkimin/kontrollimin e informacioneve për bibliotekat,
  • shfaqjen e vendndodhjes së bibliotekave në hartë dhe udhëzimet për rrugën deri te biblioteka e zgjedhur,
  • krijimin e listës së librave të preferuara,
  • leximin e barkodeve (ISBN dhe ISSN),
  • ruajtjen e profilit të përdoruesit (bibliotekat e preferuara dhe të dhënat e regjistrimit),
  • transferimin e informacioneve për materialin.

Repositori digjital COBISS – dCOBISS

Repositori digjital COBISS – dCOBISS është një aplikacion i ri, i cili përdoret për ruajtjen e llojeve më të shpeshta të objekteve digjitale dhe për administrimin e përmbajtjeve digjitale. Është në dispozicion për të gjitha bibliotekat në sistemin COBISS dhe është plotësisht i integruar me modulet e tjera të sistemit COBISS. Për shtimin e përmbajtjes digjitale, bibliotekari duhet të ketë së paku autorizimin për vendosjen e të dhënave për koleksionet e bibliotekës (inventarizimin). Të gjitha të dhënat e ruajtura në repositorin dCOBISS janë të disponueshme për përdoruesit në aplikacionin COBISS+. Skedarët me fotografi mund të përdoren si faqe kryesore e regjistrimeve gjatë shfaqjes në COBISS+, ndërsa skedarët me tekst janë të disponueshëm edhe si tekst i plotë.

Repositori dCOBISS u mundëson institucioneve akademike dhe kërkimore në Slloveni ruajtjen e botimeve me qasje të hapur të kërkuesve shkencorë dhe të dhënave të tjera për projektet, nga të cilët është financuar botimi, për financuesit, paguesit dhe shpenzimet e botimeve në qasje të hapur. Këto informacione janë të nevojshme për analitikën e qasjes së hapur, e cila i duhet Agjencisë për Veprimtarinë Kërkimore të Republikës së Sllovenisë (Agencija za raziskovalno dejavnost RS), universiteteve dhe institucioneve të tjera kërkimore.

Disa nga funksionet më të rëndësishme të aplikacionit dCOBISS:

  • shtimi dhe administrimi i publikimeve (versioni i publikimit, licenca e publikimit, data e publikimit, embargo),
  • ruajtja e objekteve digjitale (skedarëve),
  • administrimi i projekteve, financuesve dhe paguesve,
  • mbështetja e sinkronizimit me repositorët lokalë,
  • mbështetja e shfaqjes së faqes kryesore të regjistrimit në COBISS+,
  • indeksimi i përmbajtjeve tekstuale për nevojat e kërkimit të teksteve të plota në COBISS+,
  • lidhja dhe kalimi në dCOBISS drejtpërdrejtë nga aplikacioni COBISS3/Katalogimi,
  • mundësia e kërkimit në katalogun e përbashkët COBIB.SI dhe në të dhënat e ruajtura në dCOBISS.

Aplikacionet lokale

Në lidhje me aplikacionet lokale vëmendje e veçantë i është kushtuar uniformitetit të shënimit të të dhënave dhe shfaqjes së të dhënave lokale tek përdoruesi. Në një shkallë të madhe uniformiteti i të dhënave për koleksionet e bibliotekës sigurohet nga formati COMARC/H për të dhënat e koleksioneve të bibliotekës. Përveç kësaj, përpara se një bibliotekë të hyjë në sistem, Qendra Kombëtare COBISS dhe biblioteka përkatëse bien dakord për mënyrën e shënimit të të dhënave lokale. Shënimi i të dhënave përshtatet, në atë mënyrë, që ta bëjë sa më të lehtë paraqitjen e tyre tek përdoruesi dhe njëkohësisht të ruajë veçoritë e organizimit të punës në secilën nga këto biblioteka.

Moduli COBISS3/Pasurimi përfshin këto procedura të pasurimit të materialit (monografi) dhe të administrimit të gjendjes së fondeve financiare të bibliotekës:

  • përzgjedhjen paraprake të materialit, para se ai të porositet (regjistrimi dhe përpunimi i kërkesës për pasurim),
  • blerjen e materialit, që përfshin porositjen e materialit (porosi e zakonshme, porosi paraprake, porosi e kushtëzuar, porosi e pakushtëzuar), anulimin e porosisë, parapagimin dhe marrjen e materialit të porositur, si dhe pagesën për materialin e marrë (marrjen e faturave dhe ndjekjen e gjendjes së fondeve),
  • reklamimin e materialit të padërguar, materialit të pranuar dhe faturave të pranuara,
  • porosinë, pranimin dhe dërgimin e materialit për shkëmbim, pranimin dhe dërgimin e kopjes së detyruar, pranimin e dhuratave dhe evidentimin e llojeve të tjera të pasurimit me materialin bibliotekar,
  • mirëmbajtjen e të dhënave mbi partnerët dhe fondet dhe vendosja e numëratorëve,
  • dërgimin e porosive te furnizuesit, duke përdorur standardin EDIFACT,
  • dërgimin e listave të kopjes së detyruar në formatin XML dhe përgatitjen e listave pas pranimit.

Moduli COBISS3/Serialet përfshin të gjitha procedura për pasurimin e serialeve dhe administrimin e gjendjes së mjeteve financiare të bibliotekës:

  • përzgjedhjen paraprake të porosive,
  • blerjen e botimeve, që përfshin porosinë e botimeve (porosinë e përhershme dhe vjetore), anulimin e porosisë, parapagimin dhe pagimin, si dhe ndjekjen e gjendjes së fondeve,
  • krijimin e shablloneve për secilin botim,
  • hyrjen e serialeve duke përdorur shabllonet e gatshme, me mundësi për regjistrim qendror ose në departamentet e veçanta,
  • reklamimin e njësive që mungojnë ose të faturave,
  • pranimin dhe dërgimin e botimeve mbi bazën e shkëmbimit, pranimin dhe dërgimin e kopjeve të detyruara, pranimin e dhuratave, si dhe mënyrat e tjera të pasurimit,
  • mirëmbajtjen e të dhënave mbi partnerët dhe fondet, dhe vendosjen e numëratorëve.

Moduli COBISS3/Burimet elektronike përfshinë procedurat e pasurimet me e-burime (e-libra, e-seriale dhe baza të të dhënave), të cilat janë të publikuara në faqet globale elektronike ose në rrjetet kompjuterike, si dhe procedurat për administrimin e gjendjes së fondeve financiare:

  • blerja e e-burimeve, që përfshinë blerjen e pakove dhe licencave për e-burimet e pavarura, parapagesa dhe pagesa (pranimi i faturës dhe monitorimi i gjendjes në fonde),
  • lidhja me portalet për huazimin e e-librave, të cilat janë të lidhura me sistemin COBISS (identifikimi gjatë hyrjes së anëtarit në portal përmes fjalëkalimit në Biblioteka ime, si dhe transferimi i të dhënave për blerjen e licencës, huazimin e e-librave dhe kthimin e parakohshëm të e-librave në sistemin COBISS),
  • evidentimi i kopjes së detyruar për botimet elektronike,
  • administrimi i të dhënave për partnerët dhe fondet, si dhe rregullimi i i numëratorëve.

Moduli COBISS3/Koleksionet e bibliotekës mundëson administrimin e plotë të të dhënave mbi koleksionet e bibliotekës, si:

  • shkarkimin e regjistrimeve bibliografike nga baza e përbashkët e të dhënave bibliografike në një bazë lokale të të dhënave,
  • plotësimin e grupit të kufizuar të të dhënave bibliografike,
  • plotësimin e listave lokale të kodeve,
  • krijimin dhe redaktimin e të dhënave për koleksionet e bibliotekës drejtpërsëdrejti në modulin COBISS3/Koleksionet e bibliotekës ose nga moduli COBISS3/Pasurimi dhe COBISS3/Serialet,
  • lidhjen e koleksioneve,
  • përcaktimin e numrave të inventarit dhe kopjimin e të dhënave për koleksionet e bibliotekës,
  • vendosjen e numëratorëve për numrin e inventarit, numrin në vazhdim në numrin e vendit dhe numrin për huazim, si dhe mundësia e vendosjes së kritereve për përzgjedhjen automatike të numëratorëve,
  • përdorimin e procedurave të veçanta me autorizime të veçanta për ndryshime të vogla të të dhënave mbi koleksionet e bibliotekës (statuset, nivelet e disponueshmërisë, etj.),
  • printimin e etiketave të materialit gjatë kohës së redaktimit të të dhënave për koleksionet e bibliotekës, duke i dërguar ato drejtpërsëdrejti në printer ose në raport,
  • transferimin e të dhënave mbi koleksionet e bibliotekës ndërmjet regjistrimeve bibliografike,
  • kërkimin dhe punën me të dhëna të veçanta mbi koleksionet e bibliotekës,
  • shfaqjen e listës së bibliotekave, që disponojnë me regjistrime të caktuara bibliografike,
  • shtimin e përmbajtjes multimediale,
  • verifikimin dhe përzgjedhjen e materialit bibliotekar të larguar,
  • redaktimin e të dhënave për koordinimin e pasurimit.

Moduli COBISS3/Huazimi mundëson:

  • regjistrimin e anëtarëve në bibliotekë (online ose përmes transferimit të të dhënave nga baza referuese për studentët), kërkimin, ndryshimin e të dhënave ose numrave të kartave të anëtarësisë, printimin e etiketës për kartën e anëtarësisë, nënshkrimin përmes tabelës për nënshkrim dhe ruajtjen në mënyrë elektronike të formularëve të regjistrimit (deklaratave të anëtarësimit), fshirjen e të dhënave për anëtarin, fshirjen në paketë të të dhënave për anëtarët joaktivë,
  • huazimin e materialeve jashtë bibliotekës ose në sallën e leximit, kthimin e materialit, evidentimin e materialit të humbur, shtyrjen e afatit të huazimit dhe ndryshimin e afatit të huazimit,
  • rezervimin e materialit të disponueshëm dhe jo të disponueshëm, rezervimin e materialit për përdorim vetëm në sallën e leximit, monitorimin dhe përpunimin e rezervimeve të materialit të disponueshëm, fshirja në paketë e rezervimeve të skaduara,
  • kërkimin e materialit, kontrollimin e gjendjes së materialit (nëse është materiali në dispozicion apo i huazuar, të dhënat për anëtarin i cili ka huazuar materialin, afati i kthimit, lista e rezervimeve etj.) dhe vendosjen e shënimeve për materialet e bibliotekës,
  • përcaktimin e parametrave të huazimit (parametrat kohorë, kalendari, çmimi, kufizimi i huazimit, parametrat e formularëve për evidencën e huazimit, faturat dhe vërejtjet, si dhe parametra të tjerë),
  • menaxhimin e ndarë të evidencës së huazimit sipas departamenteve dhe huazimin e materialit ndërmjet departamenteve (për bibliotekat që kanë kanë huazim të organizuar sipas departamenteve),
  • udhëheqjen e evidencës së huazimit në bibliotekën lëvizëse (në bibliobus),
  • njoftimin elektronik lidhur me skadimin e periudhës së huazimit, marrjen e menjëhershme të njoftimit për vonesën, arritjen e materialit të rezervuar, borxhet e pashlyera, skadimin e vlefshmërisë së rezervimit dhe skadimin e antarësisë,
  • mbështetjen për rezervimet e përhershme të serialeve,
  • mbështetjen për huazimin e inventarit,
  • përpunimin e vërejtjeve,
  • sistemin e menaxhimit të financave me mundësi të evidentimit manual dhe automatik të borxhit, shlyerjen e borxhit (me para në dorë ose e kundërta); mbylljen e arkës, printimin e vërtetimeve të ndryshme për anëtarët etj.

Moduli COBISS3/Huazimi ndërbibliotekar Moduli COBISS3/Huazimi ndërbibliotekar përfshin të gjitha procedurat në të cilat biblioteka luan rolin e porositësit të materialit nga biblioteka të tjera dhe procedurat ku luan rolin e furnizuesit të materialit nga koleksionet e saj. Ai u mundëson bibliotekave:

  • regjistrimin e kërkesave të pranuara për HN,
  • përpunimin e porosive të marra COBISS3/HN (porositë e bibliotekave të tjera, të ardhura nga segmenti COBISS3/Huazimi ndërbibliotekar, të cilat në mënyrë automatike ruhen në bazën e kërkesave për HN),
  • përpunimin e porosive të marra COBISS+ (porositë e anëtarëve të bibliotekës, të ardhura nga COBISS+, , të cilat në mënyrë automatike ruhen në bazën e kërkesave për HN),
  • qasjen në katalogët e bibliotekës kryesore dhe rezervimin e materialit të bibliotekës kryesore,
  • porositjen e materialit te furnizuesi ose në depo, riporositjen, paraporosinë,
  • anulimin e porosive te furnizuesi ose porosive të brendshme,
  • evidentimi i materialit të pranuar nga furnizuesi ose materialit të bibliotekës kryesore,
  • dërgimin e materialit tek porositësi,
  • kthimin e materialit te klienti dhe kthimin e materialit te furnizuesi ose në depo,
  • përgatitjen e njoftimeve të ndryshme për klientët dhe furnizuesit,
  • njoftimi në mënyrë elektronike i përdoruesve për arritjen e materialit, mosrealizimin e furnizimit dhe skadimit të afatit të huazimit.

Moduli COBISS3/Raportet, mundëson ndërtimin e raporteve të ndryshme, të cilat mund të printohen ose të dërgohen përmes e-postës. Raportet përgatiten në bazë të të dhënave nga të gjitha segmentet e programit COBISS3. Llojet e raporteve në këtë segment:

  • raportet nga bazat bibliografike dhe të njësuara të të dhënave (raportet e regjistrimeve në formatin COMARC, ISBD, GARE...),
  • raportet nga bazat e të dhënave të aplikacioneve lokale (pasurimi, serialet, burimet elektronike, koleksionet e bibliotekës, huazimi, huazimi ndërbibliotekar),
    • statistikat (në huazim, huazim ndërbibliotekar dhe pasurim, për koleksionet),
    • statistikat e bazuara në klasifikimet e përcaktuara të përdoruesit, të cilat biblioteka ia përshtat nevojave të të saj (në huazim dhe për koleksionet e bibliotekës),
    • dokumentet (porosia në pasurim ose për huazim ndërbibliotekar, fatura, fletëdërgesa, lajmërime dhe reklamime të llojeve të ndryshme, evidenca e huazimit, kontrolli për koordinimin e pasurimit...),
    • dokumentet e brendshme dhe listat (libri i inventarit, lista e materialit të regjistruar, libri i signaturave, porosia e brendshme, lista për qarkullim të serialeve, lista e anëtarëve me material të huazuar, raporti i inventarit...),
    • etiketat (për materialin, kartën e anëtarësisë, me adresat e partnerëve).

Ky modul mundëson eksportimin e të dhënave për përpunimin e mëtejshëm.

Moduli COBISS3/Administrimi i aplikacioneve është një modul i ri, i cili u lejon bibliotekave:

  • mirëmbajtjen e të dhënave për bibliotekën kryesore dhe partnerët (lidhja me bazën e të dhënave COLIB),
  • kontrollin e të dhënave për përdoruesit e sistemit (lidhja me regjistrin qendror të përdoruesve).

Aplikacione të tjera

Aplikacioni online Bibliografitë ju mundëson, që në bazë të njësive bibliografike të autorëve, të përgatitni versione të ndryshme të bibliografive personale, si nga sistemi COBISS ashtu edhe nga sistemi SICRIS. Nga COBISS-i mund të përgatiten bibliografitë personale për çdo autor ose serial. Për kërkuesit shkencorë por edhe për entitetet e tjera (p.sh. për organizatat kërkimore, grupet e projekteve etj.) nga SICRIS mund të përgatiten bibliografitë personale ose të grupit, bibliografitë e vlerësuara sipas metodologjisë ARIS, raportet për qëllimet e marrjes së titujve në universitete dhe raportet e citimit. Duke përzgjedhur parametrat hyrës mund të krijohen raporte të ndryshme.

Librat më të lexuar është një aplikacion online që mundëson përgatitjen e listave të materialeve që janë huazuar më shpesh brenda një periudhe të caktuar (mbi bazën e të dhënave të huazimit në bibliotekat që kanë huazim të automatizuar).

Shpërblimi bibliotekar është një aplikacion online për krijimin e listave – statistikave të huazimit të materialeve bibliotekare sipas autorëve, të cilët janë kandidatë për të përfituar shpërblimin financiar bibliotekar, në bazë të numrit të veprave të tyre të huazuara në biblioteka (sipas kritereve të përcaktuara nga organi i autorizuar shtetëror). Në sistemin COBISS.SI vlen Rregullorja për realizimin e shpërblimit bibliotekar e miratuar nga Ministria e Kulturës (listat përgatiten në bazë të regjistrimeve bibliografike nga baza e të dhënave COBIB.SI, regjistrimeve të njësuara për emrat e autorëve nga baza e të dhënave CONOR.SI dhe të dhënat arkivore për huazimet nga bibliotekat publike brenda një periudhe të caktuar).

Serveri Z39.50 serveri SRW/SRU u mundëson përdoruesve qasje në bazat bibliografike të të dhënave në sistemin COBISS bazuar në marrëveshje të veçanta, të arritura me qendrën kombëtare COBISS (për qasje në bazën e përbashkët të të dhënave COBIB) ose me bibliotekën e veçantë (për qasje në bazën e saj lokale të të dhënave).

Serveri LDAP u mundëson bibliotekave verifikimin e përdoruesve të bibliotekës, gjatë përdorimit të shërbimeve të tyre të informacionit.

Serveri SIP2 mundëson instalimin e pajisjeve ndihmëse për huazimin e materialit, siç janë libromatët, pajisjet e sekretarisë dhe pajisjet e tjera, që mbështesin protokollin SIP2.

Mbrojtja e të drejtave të institucioneve pjesëmarrëse

Të drejtat e institucioneve pjesëmarrëse rregullohen me konventat ndërkombëtare dhe udhëzimet e Bashkimit Evropian, me ligjin për të drejtat e autorëve (copyright-in) dhe të drejtat që lidhen me to, me ligjin për pronësinë industriale, ligjin për mbrojtjen e konkurrencës dhe me marrëveshje dypalëshe.

Në përputhje me këtë, Qendra Kombëtare COBISS ka të drejtën e autorit mbi bazën e përbashkët të të dhënave COBIB në tërësi, por në të njëjtën kohë, nuk mund të pretendojë të drejtën e autorit mbi regjistrime të veçanta të asaj baze të dhënash. Të dhënat mbi krijuesin e regjistrimit dhe institucionin që e ka kontribuar atë ruhen përgjithmonë në bazën e përbashkët të të dhënave COBIB.

Pjesëmarrësit ose përdoruesit e sistemit COBISS nuk lejohen të kopjojnë regjistrime në format kompjuteri nga sistemi COBISS në baza të tjera të dhënash apo sisteme automatizimi të funksioneve lokale të bibliotekave, ose t’i shesin ato, pa pasur leje të shkruar nga Qendra Kombëtare COBISS. Pjesëmarrësit mund t’i përdorin të dhënat e tyre, të krijuara nga ata vetë, pa kufizim, vetëm për qëllime që nuk cenojnë integritetin dhe konceptin e zhvillimit të sistemit COBISS. Regjistrimet e kopjuara nga COBIB dhe të transferuara në sisteme dhe baza të tjera të dhënash duhet të kenë shenjën e krijuesit dhe simbolin COBISS, gjë që do të thotë se ato e kanë origjinën nga baza e përbashkët e të dhënave COBIB.

Gjatë përdorimit të bazave të tjera të të dhënave, të ofruara nga Qendra Kombëtare COBISS mbi bazën e marrëveshjeve të veçanta me prodhuesit e tyre, u duhet dhënë prioritet kufizimeve që rrjedhin nga ato marrëveshje.

Bartës i të drejtave të autorit për programin dhe manualet COBISS është IZUM. COBISS, COMARC, COBIB, COLIB dhe CONOR janë marka të mbrojtura të IZUM-it.

Çdo Qendër Kombëtare COBISS ka përgjegjësinë që të mbrojë privatësinë e informacionit personal në sistemin COBISS, në mënyrë të tillë që të parandalojë përdorimin e paligjshëm e të paautorizuar të të dhënave personale.

Ndihmë përdoruesve

Përdoruesve të programit COBISS në Slloveni dhe qendrave kombëtare COBISS në rrjetin COBISS.net, IZUM-i u siguron ndihmë nëpërmjet telefonit nga e hëna deri të premten nga ora 7.30 deri në orën 20:00, ndërsa të shtunën nga ora 7:30 deri në orën 13:00 në numrin e telefonit +386 (0) 2 25 20 333.

Për ndihmë nëpërmjet postës elektronike është në dispozicion kjo adresë podpora@izum.si.

Ndihma e specializuar për bibliotekat jashtë Sllovenisë, sigurohet nga qendrat e tyre kombëtare COBISS.

Prill 2022